Nevoja për ndryshime kurrikulare, domosdoshmëri në fushën arsimore

Një nga fushat më të rëndësishme të çdo shoqërie dhe të çdo sistemi është arsimi. Përmes arsimimit shoqëritë dhe kombet u transmetojnë pjesëtarëve të tyre dijen, kulturën, trashëgiminë kulturore, vlerat përmes të cilave shoqëria zhvillohet.

Arsimi është një nga fushat që ndikon fuqishëm gjatë ndryshimeve shoqërore. Fakti që sistemet e arsimimit janë në ndryshim të vazhdueshëm, nuk tregon paqëndrueshmëri apo destabilizim, përkundrazi, ato shërbejnë për t’iu përshtatur sa më mirë ndryshimit të shoqërisë. Ndryshimet e shpeshta të bëra këto 20 vitet e fundit në Shqipëri kanë treguar se arsimi është munduar të përshtatet sa më shumë me ndryshimet sociale në vendin tonë, por edhe me ato globale.

Këto ndryshime duke mos qenë shumë të studiuara dhe duke qenë se bëheshin në një terren shumë pak të favorshëm nga gjendjes në të cilën sistemi ynë arsimor vinte jo gjithmonë kanë dhënë frytet e duhura dhe janë përceptuar shpesh nga ne si eksperimente të cilat ndikonin vetëm negativisht. Eksperimentimi në arsim nuk është diçka e keqe, por kur ky eksperimentim kalon caqet hapësinorë dhe kohorë, atëhere ai bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht.

Reformat e fundit në arsim dhe debatet që i kanë shoqëruar atë dëshmojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të shoqërisë për problemet e arsimit dhe shkollës. Këto probleme duket se i përkasin gjithë shoqërisë dhe jo vetëm një pjesë të saj. Është e kuptueshme që vetëm me një reformim të tillë problemet nuk mund të zgjidheshin përnjëherë. Në saj të këtyre ndryshimeve të mëdha dolën në pah problematikat të cilat nëse nëse nuk trajtohen me seriozitetin e duhur mund të lënë pasoja të rënda në arsimimin e brezave.

Reforma në arsim ka përfshirë legjislacionin, kurrikulat, infrastrukturën duke ndikuar drejtpërsëdrejti tek nxënësit, studentët akademimikët dhe më gjerë, gjithë shoqërinë. Që prej përmbysjes së regjimit totalitar në Shqipëri, zhvillimi i kurrikulës ka njohur ndryshime të shpeshta që janë kushtëzuar nga zhvillimet bashkëkohore në rrafshin ekonomik,  shoqëror  dhe  politik.

Edhe pse duket sikur në shkollë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh, kurrikula e re dhe reformimi tërësor i sistemit parauniversitar ka bërë një revolucion në fushën e arsimit. Ndryshimet në kurrikula nuk duhet parë i ndarë, i copëzuar dhe i rastësishëm, pasi nëse e shohim kështu nuk do të arrijmë të perceptojmë gjithë ndryshimin që është kryer. Reformat e kryera shpeshherë edhe me ngut e kanë gjetur të papërgatitur mësuesin për të përballuar gjithë këto ndryshime. Misioni i çdo kurrikule të re ka qenë ndryshimi i konceptimit në arsim, pra vënia në qendër nxënësin por kjo nuk është kuptuar nga të gjithë mësuesit, ose është kuptuar në mënyrë sipërfaqësore. Të vendosësh nxënësin në qendër të mësimit nuk do të thotë të mjaftohesh duke përdorur disa teknika mësimdhënieje, por duhet të ndryshohet mendësia e mësimdhënies.

Mësimi dhe shkolla duhet t’i shërbejë nxënësit dhe nëse kjo nuk arrihet misioni mund të quhet i parealizuar. Ende sot, ka mësues që e shohin nxënësin si objekt dhe jo si subjekt. Harrojnë se tek çdo individ ka një veçori të cilën sistemi arsimor dhe veçanërisht mësuesi duhet ta vërë në dukje. Ky këndvështrim, edhe pse nuk është keqdashës bëhet shkak për krijimin e situatave të pakëndshme në mësim.

Proçeset transformuese të sistemit shoqëror kanë imponuar ndryshime të thella në programe, pedagogji dhe tekste. Përgjatë dy dekadave, në arsimin parauniversitar janë ndërmarrë iniciativa të shumta politike dhe ligjore për zhvillimin e kuadrit kurrikular. Ndër më të rëndësishmet janë strategjia e arsimit (2005-2015) dhe ligji për arsimin parauniversitar (1995, 2012) që e venë  theksin tek reformimi i shkollës si institucion shoqëror me rëndësi të veçantë për formimin e të rinjve me njohuri shkencore dhe vlera qytetare.  

Por si paraqitet situata në Shqipëri? Në Shqipëri, për të siguruar standartizimin e arsimimit në mënyrë uniforme, zbatohet një kurrikul kombëtare, e cila zbërthehet përmes programeve  shkollore të hartuara nga një institucion i ngritur posaçerisht për këtë qëllim: Instituti i Zhvillimit të Kurrikulës. Ndryshimet kurrikulare kanë prekur organizimin e lëndëve mësimore të cilat janë grupuar në kurrikul bërthamë, me zgjedhje dhe fakultative. Është e vështirë për të gjetur një përkufizim të vetëm për kurrikulën, prandaj edhe përkufizimet për të janë të shumta (Posner & Rudnitsky, 1994).

Me  kurrikul, në kuptimin e gjerë të fjalës përkufizohet ndonjëherë vetë sistemi arsimor,  ndërsa në kuptimin e ngushtë kuptohet vetëm një lëndë (Orstein & Hunkins, 2003). Kurrikula është themeli i programit shkollor, ndërsa tekstet janë mjete për  zbatimin e programit. Megjithëse kurrikula i jep rëndësi të madhe tekstit në  formimin qytetar, vetë tekstet kanë ende rrugë për të bërë për këtë qëllim[3]. Objektivat  kurrikulare nuk mund të vihen në jetë pa një tekst të mirë, pedagogji përfshirëse, strategji të mësuari dhe teknika vlerësuese. Kurrikula presupozohet të zbatohet në mënyrë integrale, ku lëndet të kombinohen me njëra-tjetrën për sigurimin e  vijimesisë së dijes tek nxënësit.

Përsa i përket reformës së kurrikulës, janë bërë përparime të dukshme që e sjellin arsimin shqiptar pranë standardeve të vendeve të tjera. Objektivat  kurrikulare nuk mund të vihen në jetë pa një tekst të mirë, pedagogji përfshirëse dhe teknika vlerësuese. Në fund të lëndës, çdo mësues ka nevojë të dijë se sa u plotësuan objektivat e kurrikulës dhe çfarë mësoi nxënësi. Për zgjidhjen e problemeve që mund të vijnë si pasojë e ndryshimit të kurrikulës mjafton vetëm pak dëshirë dhe vullnet për ti bërë funksionale. Për këtë duhet një njohje dhe përhapje më e gjerë e informaconit të ri që aktorët e këtyre ndryshimeve të dinë se si dhe ku ta gjejnë veten në këtë sistem që është në reformim të vazhdueshëm.

Artikulli i mëparshëm

Teknika nxitëse për rritjen e inteligjencës tek fëmijët e vegjël

Artikulli tjetër

Shpërthimi Trondit Beirutin

Total
0
Share